Skip to main content

Përrallat e Heronjve të Padukshëm:

Histori të vërteta që meritojnë të tregohen

Ka histori që lindin nga jeta e përditshme, nga përvojat e fëmijëve dhe nga njerëzit që zgjedhin të jenë pranë tyre në momentet më të rëndësishme. Disa prej tyre janë aq të veçanta, sa meritojnë të tregohen si përralla.

“Përrallat e Heronjve të Padukshëm” është një seri historish të vërteta të fëmijëve në strehim, të shndërruara në tregime të ngrohta e plot emocion, që sjellin te lexuesi përvojat, ëndrrat, sfidat dhe momentet e rëndësishme të rrugëtimit të tyre.

Por pas çdo historie qëndrojnë edhe disa heronj që nuk kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes.

Ata janë familjet strehuese.

Familje që kanë zgjedhur të hapin dyert e shtëpive të tyre për fëmijë që kanë nevojë për përkujdesje, siguri dhe dashuri. Përmes gjesteve të përditshme, ato krijojnë një mjedis ku një fëmijë mund të ndihet i mirëpritur, i dëgjuar dhe pjesë e një familjeje.

Strehimi familjar nuk është vetëm të ofrosh një vend ku një fëmijë mund të jetojë. Është të krijosh hapësirë për të, të ndash momente të zakonshme të jetës, të jesh aty në ditët e mira dhe në ditët e vështira dhe t’i ofrosh një ndjenjë sigurie e përkatësie.

Përmes formës së përrallës, këto histori bëhen më të afërta dhe më të kuptueshme për lexuesit, duke na kujtuar se pas çdo fëmije në strehim ekziston një histori e veçantë, me emocione, ëndrra dhe shpresa për të ardhmen.

Për OFAP-in, “Përrallat e Heronjve të Padukshëm” është më shumë se një libër. Është një mënyrë për të sjellë në vëmendje historitë e fëmijëve në strehim dhe për të treguar rëndësinë e një familjeje strehuese në jetën e tyre.

Sepse çdo fëmijë meriton një vend ku ndihet i sigurt, i dashur dhe i pranuar.

Dhe ndonjëherë, heronjtë më të mëdhenj nuk kanë superfuqi dhe nuk kërkojnë duartrokitje. Ata thjesht hapin derën e shtëpisë së tyre dhe bëjnë vend për një fëmijë.

Këta janë heronjtë e padukshëm. ❤️

“Përrallat e Heronjve të Padukshëm” mund ta gjeni në libraritë Dukagjini dhe përmes OFAP-it, duke mbështetur kauzën për një të ardhme më të sigurt e më të mirë për fëmijët pa përkujdesje prindërore.