Skip to main content

Historia e OFAP

Organizata për Fëmijët Pa Kujdes Prindëror (OFAP) është një organizatë joqeveritare vendore e themeluar në vitin 2015, e krijuar si pasardhëse e organizatës italiane Amici dei Bambini (Ai.Bi.), e cila veproi në Kosovë nga viti 1999 deri në janar të vitit 2016.

Duke trashëguar përvojën shumëvjeçare të Ai.Bi. në mbrojtjen e fëmijëve dhe promovimin e kujdesit familjar, OFAP vazhdon misionin që çdo fëmijë i privuar nga kujdesi prindëror të ketë mundësinë të rritet në një ambient të ngrohtë, të sigurt dhe me ndjenjën e një familjeje. Qëllimi ynë është t'i ofrojmë çdo fëmije mbështetjen emocionale, sociale dhe zhvillimore të nevojshme për një rritje të shëndetshme, të qëndrueshme dhe me dinjitet.

Përveç ofrimit të shërbimeve sociale, OFAP angazhohet në identifikimin dhe vlerësimin e zgjidhjeve më të mira për secilin fëmijë, duke mbështetur të drejtën e tij themelore për të jetuar në një familje. Kjo përfshin riintegrimin në familjen biologjike kur krijohen kushtet për një kujdes të sigurt, si dhe mundësinë e adoptimit kombëtar ose ndërkombëtar, gjithmonë në interesin më të mirë të fëmijës.

Sot, OFAP është ofrues i licencuar i shërbimeve sociale në Kosovë dhe punon në mbështetjen e fëmijëve pa kujdes prindëror, fuqizimin e familjeve strehuese, ofrimin e shërbimeve psikosociale dhe avokimin për të drejtat e fëmijëve.

Përmes bashkëpunimit me institucionet publike, organizatat vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, OFAP kontribuon në zhvillimin e sistemit të kujdesit familjar dhe mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, me vizionin që çdo fëmijë të ketë mundësinë të rritet në një familje ku ndihet i dashur, i mbrojtur dhe i përkrahur.